Nuk pati pajtim mes palëve as sot. Tirana dhe Gjergji Muzaka nuk gjetën gjuhën e përbashkët për rrogat e prapambetura, ndaj dhe tani do të nisë gjyqi i vërtetë. Seanca e parë, në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, është lënë këtë të premte. Muzaka u paraqit në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit në orën e caktuar, dhe këtë herë Tirana nuk mungoi.
Presidenti Refik Halili vendosi të mos ishte i pranishëm dhe përfaqësimin e bëri ish-administratori i klubit dhe ish-kapiteni Krenar Alimehmeti. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se ai kërkon 16 rroga të prapambetura, me vlerën e tyre reale. Nuk jepet zyrtarisht shifra, por besohet se kontrata parashikon një pagë prej 7 milionë lekësh të vjetra në muaj. Tirana ka pretenduar se futbollisti ka pasur dëmtime të vazhdueshme dhe se për këtë arsye duhej të paguhej shumë më pak, besohet me 1 milionë lekë në muaj.
Nuk mund të parashikohet sesi do të përfundojë gjyqi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, por precedentët janë në favor të futbollistëve, me rastin e fundit, atë të Flamurtarit që e humbi gjyqin me ish-lojtarët dhe me ish-trajnerin Gjoka.