Ajo që mund të quhet “çmenduria” e tij, vazhdon. Rasëll Uestbruk pati një tjetër ndeshje të nivelit të stërlartë në NBA. Ylli i Oklahomës realizoi edhe një herë shifra dyshe për tre elementët kryesorë, pikë të shënuara, topa në tabela dhe pasime fituese. Për fat, kjo mjaftoi që skuadra e tij të fitonte në fushën e Sakramentos, me rezultatin 122-118.
Uestbruk pati 36 pikë, 11 topa në tabela dhe 10 asistë. Kjo përkthehet në “tripëll dabëllin” e 20-të të sezonit, që do të thotë se vetëm dy lojtarë në historinë e NBA-së kanë qenë më mirë sesa ai në një edicion. Oskar Robertson duket i paprekshëm me 41 “tripëll dabëll” në një turne të rregull, ndërsa Uilt Çembërlen, ndoshta edhe mund të arrihet. Uestbrukut i duhet të përsërisë veten edhe 11 herë këtë vit.
Gjithsesi, ai mbetet brenda objektivit të madh, arritjes së mesatares prej “tripëll dabëlli” në 2016-2017. Kapiteni i Oklahomës ka 30.9 pikë, 10.7 topa në tabela dhe 10.5 pasime fituese mesatarisht në ndeshje. Basketbollisti me numrin 0, gjithsesi, ka një barrë të rëndë mbi vete. Ai duhet ta bëjë fituese skuadrën e tij, dhe deri tani ia ka dalë pjesërisht, pasi Thandër është vetëm e gjashta në renditjen e Konferencës Perëndimore.