Edhe një futbollist rebel nuk besohet se e ka të lehtë të përballojë një situatë të tillë. Diego Kosta po përballet me zemërimin e trajnerit të tij, Antonio Konte, i cili siç edhe pritej nuk e “kapërdiu” aq lehtë sjelljen e sulmuesit në prag të ndeshjes me Leiçesterin. Konte vendosi ta linte përsëri jashtë skuadrës sulmuesin braziliano-spanjoll, i cili u detyrua të stërvitej i vetëm gjatë ditës së sotme.
Në një kohë që blutë kryen seancën normale nën drejtimin e italianit dhe të stafit të tij, Kosta u ushtrua për plot një orë, në një fushë tjetër të kompleksit të klubit, i shoqëruar vetëm nga një trajner. Gjithsesi, pavarësisht karakterit të vështirë dhe temperamentit gjaknxehtë, futbollisti nuk arriti në veprime të skajshme, siç bëri lojtari i Uest Hemit, Dmitri Paje, i cili madje refuzoi edhe që të stërvitej.
Fillimisht, mediat britanike raportuan se Konte dhe Kosta u përplasën për shkak të një dëmtimi të pretenduar nga futbollisti, por që nuk bindi mjekët e skuadrës, ndërsa sot kanë dalë hollësi të tjera. Përplasja duket se ka ndodhur për shkak të dëshirës së sulmuesit që të largohet, në vazhdën e një oferte të madhe nga Kina. Nuk dihet nëse Diego Kosta do të jetë pjesë e Çelsit për ndeshjen e radhës në kampionat, ndërsa presidenti i klubit, Abramoviç, e ka refuzuar prerë largimin e tij për në Kinë gjatë këtij muaji.