Është një nga ikonat e klubit, dhe një nga ekspertët televizivë më të kërkuar. E kush nuk e mban mend “fatalin” Zbignjev Bonjek, polakun që tifozët juventinë dhe shokët e skuadrës e thërrisnin shkurt dhe lehtë, “Zibi”. Pikërisht njeriu që krijoi dyshen e famshme me Platininë në Juventusin e madh të Xhovani Trapatonit, jep mendimin e tij për Juventusin e sotëm, që gjithashtu është thuajse i madh.
A mendon Bonjek se kjo skuadër mund të arrijë atë që bëri ekipi i tij, duke dalë disa herë kampion i Italisë, duke fituar Kupën e Kupave të Europës, Superkupën e Europës, Kupën e Kampionëve dhe Kupën Interkontinentale? Përgjigja është “jo, për momentin”.
“Juventusi ishte dhe mbetet skuadra më e fortë e kampionatit, – u shpreh ai, në një intervistë telefonike me Radion “Onda Libera”, – pashë ndeshjen me Fiorentinën dhe ishte e qartë se ekipi kishte një rënie të lehtë, por këto janë gjëra që ndodhin. Nëse fiton në Krotone do të ketë sërish 4 pikë epërsi”. Po, Championsi? “Përgjigja ime është jo, – vazhdoi polaku, – nuk mundet ende të jetë konkurruese në ato nivele. Duhet të rritet ende, ndonëse në një kompeticion si Liga e Kampionëve mund të ndodhë gjithçka”.