Estudiantesi e ndjeu menjëherë ndryshimin, duke pasur në fushë një nga djemtë e tij të vërtetë. Huan Sebastian Veron i rezervoi vetes një tjetër debutim në moshën … 41-vjeçare. Veterani, gjithsesi, ishte “guri” që kaloi “kandarin” në krahun e bardhekuqve duke fituar ndaj Bahias braziliane. Sfida u luajt për Kupën Florida, një turne i fazës përgatitore dimërore, ku Estudiantesi megjithatë mbeti prapa dy skuadrave të Bundesligës, Volfsburg e Leverkusen. Suksesi me Veronin në terrenin e stadiumit në Orlando, bëri që të liheshin prapa Bahia, Atletiko Paranaense dhe Tampa Bei Roudis.
Klubi argjentinas është në krizë financiare dhe, kuptohet, edhe në krizë rezultatesh, por Veron i erdhi në ndihmë. Ai premtoi se do të luante pavarësisht nga mosha, veçse me kusht që tifozët të blinin 65 për qind të abonimeve në stadium. Pozicioni i tij është tepër i veçantë. Në të kaluarën kemi parë shumë futbollistë që ishin në rolin lojtar-trajner (sidomos në Angli), ndërsa tani kemi një futbollist që ka rolin president-lojtar. Pas Kupës së Floridës, Veron u kthye në Argjentinë, bashkë me Estudiantesin, për të vazhduar kampionatin, në të cilin ndodhet në vendin e katërt, 4 pikë pas kryesueses Boka. Ai do të udhëheqë ekipin edhe në Kupën Libertadores.