“Nusja” ka ikur, por shtëpia nuk ka mbetur bosh. Siç tha edhe Farruk Sejdini, kur e shkarkuan si trajner të Dinamos në 2002, “të rrojë teqeja, se hoxhallarë ka sa të duash”. Këshjtu ndodhi edhe në Formula 1, ku kampioni i botës e ka tashmë një zëvendësues. Valteri Botas u përzgjodh nga Mercedesi si njeriu që do të “veshë këpucët” e Niko Rosbergut, saktësisht do të veshë kokoren dhe dorezat e tij për të pilotuar makinën gjermane, kampione të botës.
Finlandezi 27-vjeçar do të jetë shoku i ri i skuadrës për Ljuis Hamiltonin, kampionin e trefishtë të botës, që dy prej titujve i ka arritur pikërisht me Mercedesin. Edhe pse Botas nuk e ka fituar ende një garë në Formula 1, ndërsa ka marrë pjesë në 78 Grand Sleme, sërish ai u cilësua si kandidati më i mirë, duke pasur eksperiencë dhe cilësi. Pengesa më e madhe për sukses ka qenë mungesa e një makine fituese, jo vlerat e tij si pilot.