“Derbi i mirësjelljes” mes Partizanit e Tiranës do të ndërpritet këtë javë!

Ky kampionat po shkon pikërisht kështu, me dy rivalët nga kryeqyteti që vërtet nuk e duan njëri-tjetrin, madje janë “armiq të betuar”, por që kanë bërë kaq shumë dhurata për palën “matanë barrikadës”. Tirana pësoi sot humbje në Durrës, aty ku Edi Martini duket ndonjëherë sikur ka “shkopin magjik”. Në një kampionat “rroma për toma” kjo nuk përbën ndonjë habi të madhe, ndërsa u kombinua me fitoren 2-1 të Partizanit ndaj Kukësit që i ngjiti në krye të kuqtë e trajnerit Kolela. Dhuratat e dyanshme kanë qenë të shumta këtë edicion, veçse në 21 dhjetor do të ketë një përballje që nuk do t’i lejojë. Atë mbrëmje do të luhet derbi i kryeqytetit, pra Tirana do të jetë përballë Partizanit. Gjithsesi, pavarësisht nga rezultati, dy rivalët do t’i kthehen avazit të vjetër, me një qetësi olimpike a thua se e dinë sesi do të jetë përfundimi. Nëpër “rrugicat e lagjes” po thonë me zë të lartë se kampionatin këtë vit do ta fitojë Partizani.

Sfidanti.al