Me “Bobin” apo pa “Bobin”, kjo është çështja!

Partizani mbetet gjithnjë Partizan dhe klubi i lavdishëm kryeqytetas ka një çështje. Përtej emrave “Iuliano”, “Moxhi”, “Trashi” apo “Fili”, është një tjetër emër që del në skenë në çdo ngjarje të viteve të fundit. Ky është emri i Sulejman Starovës. Trajneri tashmë veteran, padyshim një nga specialistët më të mirë të profesionit, është kthyer në çështjen e ditës. Me “Bobin”, apo pa “Bobin”?

Kur ishte trajneri Shpëtim Duro, “Bobi”, ishte drejtues teknik, pastaj “Kuqi” e akuzoi se ishte ai që i bëri “puçin” dhe që nga ajo kohë miqësia u prish. Vetë Sula u largua për t’i bërë vend Agostinelit, por nuk iku për fare nga skena, veçse mbeti këshilltar i presidentit. Me largimin e Agostinelit (çfarë këshillash i dha “Bobi” presidentit Demi?!), Starova u kthye sërish në stol dhe luftoi për titullin kampion, por pa mundur ta fitonte.

Ai akuzoi Federatën dhe Dukën se e sulmuan Partizanin, dhe nuk është se nuk pati të drejtë, por ishte vetë klubi i tij që e largoi verën e kaluar për t’i bërë vend Iulianos, në kuadër të “projektit italian”, tashmë thuajse të dështuar. Sula ishte gjithnjë aty, në krah të presidentit si këshilltar dhe u kthye përsëri trajner.

Kthimi i fundit, sidoqoftë, nuk ka qenë shumë i lumtur, dhe jo vetëm për humbjet 0-1 në Laç, 0-5 në Gjirokastër apo 0-1 në Vlorë. Operacioni “Fshesa” largoi lojtarë, madje edhe nga ata që ishin te Partizani përpara Iulianos si Malota, Krasniqi apo Vila. Për ters, nisën sherret me lojtarët, si me Trashin në Turqi dhe me Filin në Tiranë. Tifozët e Partizanit thonë: “Me “Bobin” apo pa “Bobin”, kjo është çështja”!

Sfidanti.al