As “profe” Daja nuk e ndali Skënderbeun, Flamurtari u mund në Vlorë

Përvoja është diçka që nuk blihet me para, por kërkon kohë. As një trajner me eksperiencë të gjatë dhe kampion në fuqi i Shqipërisë, si Ilir Daja, nuk arriti ta mundte ish-ekipin e tij, Skënderbeun, dominuesin absolut të futbollit shqiptar në 7-8 vitet e fundit.

Kampionët korçarë triumfuan 2-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit, në një ndeshje ku vendosi pikërisht përvoja. Ishte një sfidë “e mbyllur”, mjaft taktike dhe e luftuar në mesfushë, por të cilën Skënderbeu e fitoi falë dy rasteve të mira që krijoi dhe që i ktheu në gol. Autorët e golave ishin Krasniqi dhe Oto Xhon, që të dy sulmues, ndërsa loja tregoi se miqtë mbeten ende pretendentë kryesorë për të ruajtur një titull që e kanë fituar çdo vit që nga 2011-ta, me përjashtim të vitit 2017.

Po Flamurtari? Do të ishte gabimi më i madh nëse në Vlorë do të “sharronin” shtyllat e portave, apo do të “mbillnin fushën me patate”, për shkak të dëshpërimit të humbjes. Asnjë njeri me logjikë normale nuk dyshon se titullin e vitit 2011, vlonjatëve ua vodhën, por revanshi ndaj Skënderbeut nuk mund të merret me zor. Klubi duhet t’i japë kohën e duhur Dajës, një trajneri që ka ditur të dalë kampion i Shqipërisë me 3 ekipe të ndryshëm, Elbasanin, Dinamon dhe vetë Skënderbeun.

Sfidanti.al