Salah beson se me Klopin, Liverpulin e pret një sezon i madh

Një ish-yll i Mançester Junajtidit sugjeroi këto ditë se Liverpuli duhet të fokusohet plotësisht tek Premier Liga, dhe të mos i japë prioritet Championsit. Geri Nevil, ish-mbrojtës i Anglisë që e di sesi fitohet Premieri dhe Championsi, gjykoi si analist televiziv duke thënë se skuadra e Jurgen Klopit nuk ka mundësi të luftojë për t’i fituar të dy titujt, por ndaj tij nuk u kthye vetëm trajneri gjerman.

Pas Klopi deklaroi se “nuk do të bëj plane, por do të lejoj që lojtarët e mi të luftojnë për çdo trofe të mundshëm, ishte radha e Mohamed Salahut të jepte gjykimin e tij. Ylli egjiptian e bëri këtë në një intervistë të zgjeruar për “Frans Futbollin”, gjë që ai e jep rrallë.

“Padyshim që ne mund të arrijmë sërish në finale, – u shpreh ai, – jam i sigurt se mund ta fitojmë Championsin. Mendoj se mund t’ia dalim në të dy turnetë. Nuk dua ta vë ekipin nën presion, por gjithçka është e mundshme”. Liverpuli është në krye të Premier Ligës, së bashku me Çelsin, me pikë të plota, ndërsa në tri sezonet e kaluara arriti në finalet e kupave kontinentale, në 2016 në Ligën e Europës, dhe në 2018 në Champions.

Sfidanti.al