“Arena” bëhet “copë”, por më shumë e pëson Tirana që s’është organizatore!

Nuk dihet saktësisht sesa milionë kanë shkuar kot. E qartë është vetëm që “Arena Air Albania” ka pësuar dëme serioze pas derbit të fundit të kryeqytetit dhe për momentin i ka mbyllur dyert. Një numër i madh stolash janë thyer, dhe po ashtu edhe dy xhama në tribunën ku ishin të vendosur tifozët e Tiranës. Ende nuk është llogaritur plotësisht niveli financiar i shkatërrimeve dhe pritet që në stadium të mbërrijnë ekspertët për të dhënë vlerën e dy xhamave të thyer.

Po ashtu, drejtori i stadiumit, Keidi Tomori, sqaroi se do të jetë problem porositja dhe vendosja e këtyre xhamave. Sfida e Abisnet Superligës mes Partizanit e Tiranës, fituar 2-0 nga të kuqtë, u ndërpre disa herë, për shkak të veprimeve të tifozëve që hodhën tymuese dhe sollën shkatërrime, ndërsa nga dy klubet pati akuza për rojet e sigurisë private të cilët nuk arritën të bënin detyrën.

Për shkak të dëmtimeve, është vendosur mbyllja e “Arenës” deri në vendosjen e stolave dhe të xhamave. Për këtë arsye, Tirana do të duhet ta zhvillojnë në “Elbasan Arenë” ndeshjen e radhës në Superligë ndaj Laçit. Kampionët nuk kanë dëshirë të luajnë në stadiumin e tyre, “Selman Stërmasi” për shkak të problemeve me fushën. Komisioni i Disiplinës në FSHF vendosi të dënonte Tiranën me 4 ndeshje pa tifozë, dhe Partizanin me 2, pikërisht për sjelljen e publikut. Gjithsesi, nuk dihet qartë se përse dënohet më shumë Tirana sesa Partizani që ishte organizator i derbit, dhe që normalisht nuk shpenzoi sa duhet për rojet e sigurisë.

Sfidanti.al