Juventus merr pikën e parë në “sfidën” e vështirë me drejtësinë sportive. Arbitrazhi i Lacios ka vendosur në favor të klubin bardhezi në misionin e tij për të kthyer 15 pikët që iu hoqën nga Gjykata e Apelit në Federatën Italiane pas hetimeve në lidhje me mbivlerësimin e futbollistëve në merkato. Avokatët e “Zonjës së Vjetër” do të kenë në dorë atë që mediat italiane e kanë pagëzuar si “letra sekrete”. Bëhet fjalë për një komunikim të prokurorit të Federatës me Komisionin Vigjilues për Klubet Profesioniste. Palët kishin refuzuar ta dorëzonin atë gjatë procesit, por tani janë të detyruar ta bëjnë pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit të Lacios.
Por çfarë ka të rëndësishme ky dokument? Në fakt sipas trupës mbrojtëse të Juventusit, kjo letër mund të bëjë të pavlefshëm të gjithë procesin në dëm të klubit. Avokatët pretendojnë se janë shkelur afatet ligjore, pasi dokumenti tregon se hetimet kanë nisur në mars të vitit 2021 dhe jo në muajin prill siç pretendon pala akuzuese. Si pasojë, në kundërshtim të afateve ligjore, edhe pala mbrojtëse është njoftuar me vonesë për hetimet. Tani te Juventus janë besimplotë se procesi do të konsiderohet i pavlefshëm në Kolegjin e Garancisë në Komitetin Olimpik Italian. Kjo do të thotë se skuadrës bardhezi do t’i kthehen pikët e hequra në renditje, duke përmbysur fatin e “Zonjës së Vjetër”, por edhe të skuadrave të tjera në garën e fortë për zonën Champions.
Sfidanti.al