Aleancat dënuan Vllazninë, legjenda e futbollit drejt rënies

Futbolli shqiptar po “ha kokat” e “bijve” të vet më të mirë. Një vit pas rënies së Tiranës, një tjetër legjendë po zbret nga kategoria, Vllaznia e Shkodrës. “Aleancat” aspak fluide, ashtu si edhe menaxhimi i keq publik, bënë që shkodranët të jenë në vend të parafundit në renditje, kur duhen edhe 2 javë deri në përfundim.

Erdhi puna që Partizani luajti për vete dhe e mposhti Vllazninë në “Selman Stërmasi”, edhe pse pa spektatorë, duke mbetur me shpresë për në Ligën e Europës. Po ashtu, Kamza luajti për vete dhe fitoi ndaj Flamurtarit në fushën e vet, duke qenë shumë pranë shpëtimit, ndërsa Skënderbeu realizoi atë që mund të quhet “skenar”, duke hedhur në fushë rezervat dhe duke ia bërë dhuratë Teutës ndeshjen mes tyre në Korçë.

Durrsakët, të përmendur rëndshëm si ekipi më i favorizuar nga sistemi që udhëheq futbollin shqiptar, triumfuan 3-1 dhe praktikisht shpëtuan. Çdo analist dhe çdo trajner, kur analizonte luftën për mbijetesë, nuk harronte të theksonte se “Teuta nuk bie nga kategoria”, edhe pse nuk guxonin të sqaronin se përse ishte kështu.

Pas javës së 34-ët, Teuta e Kamza kanë nga 43 pikë, ndërsa Vllaznia vetëm 38, pra duke qenë 5 pikë prapa, ndërsa janë edhe vetëm 6 pikë në dispozicion. Në Kamzë, për vendasit ndaj Flamurtarit shënoi Sebino Plaku, në Tiranë për Partizanin ndaj Vllaznisë realizuan Asani e Progni, ndërsa në Korçë për Teutën autorë golash ishin Shkalla, Çyrbja e Latif.

Java e 34-ët: Skënderbeu-Teuta 1-3, Kukësi-Luftëtari 2-2, Partizani-Vllaznia 2-0, Laçi-Lushnja 3-1, Kamza-Flamurtari 1-0.

Renditja: Skënderbeu 72 pikë, Kukësi 62, Luftëtari 53, Partizani 50, Laçi 50, Flamurtari 45, Kamza 43, Teuta 43, Vllaznia 38, Lushnja 11.

Sfidanti.al