Afron “E premtja e zezë” për Skënderbeun, ish-kampionët rrezikojnë!

Kjo e premte është dita e gjykimit të fundit. Besohet se Komisioni I Etikës nuk do ta shtyjë më tej vendimin për çështjen e Skënderbeut, dhe burime në Federatën Shqiptare të Futbollit, bëjnë me dije se klubi korçar rrezikon jo pak. Nuk mund të thuhet me siguri se çfarë do të vendosë përfundimisht Etika, por gjithsesi ka disa sinjale.

Mund të ketë heqje pikësh për sezonin e ardhshëm në Superligë, nga 6 deri në 12. Një mundësi tjetër është që të ketë heqje të titullit të dy sezoneve më parë, gjë që mund të shpallë Partizanin kampion. Alternativat vazhdojnë me zbritje nga kategoria për edicionin e ardhshëm, por kjo duket si më pak e mundshmja që të ndodhë.

Së fundi, mund të flitet për një gjobë, veçse vetë Skënderbeu beson se nuk dëshiron të jetë kështu. Nuk dihet sesa mund të jetë gjoba, por duhet të jetë tepër e madhe, përderisa burime pranë presidentit Takaj shprehen se bosi I korçarëve do të pranonte më mirë t’i hiqnin një titull sesa të paguante financiarisht.

Skënderbeu u përjashtua vitin e kaluar nga kupat e Europës me vendim të UEFA-s, pasi u gjet fajtor për trukim ndeshjesh, ndërsa dyshohet se manipulime ka pasur edhe në garat kombëtare. Gjithsesi, mund të ngjasë që Etika ta quajë të mbyllur dënimin e Skënderbeut me ndëshkimin që I dha UEFA vjet nga Championsi, dhe të mos marrë asnjë vendim tjetër.

Sfidanti.al