Kategoria Superiore e mbyll si i ka hije…me surpriza

Humbjet e Egnatias dhe Partizanit nuk lënë një shije të mirë  pas 180 minutave të fundit të një  futbolli të (pa)rëndësishëm Superior. Nuk ndryshon asgjë përveç rokadës me Tiranës dhe Vllaznisë për vendin e tretë ndërsa bardheblutë edhe pse pa Hasanin dërrmuan rrogozhinasit pothuajse perfekte në gjysmën e parë të sezonit. Rezultate anormale nëse analizohet rrjedha normale e sezonit për të katërta skuadrat në garë sepse Egnatia nuk ka pësuar asnjëherë lajthitje të tilla ndërsa Partizani kampion në fuqi si ratësisht i uli “qepenat” pasi mësoi rezultatin e Rrogozhinës.

Në këtë mënyrë në shtëpinë e kuqe e kanë gati alibinë për ndryshime radikale në stol me Orges Shehin në paradhomë për të marrë drejtimin ndërsa Egnatia nuk preket aspak nga humbja me 5 gola dhe të gjithë largohen pa trauma në shtëpi për të festuar të qetë e të gëzuar. Kjo është Superiorja që me stadiume të boshatisur, spektaklin e dhuron në rezultate sepse në fund të fundit, llogaritë në këtë pikë të sezonit nuk vlejnë aspak dhe një “shkelje syri” ndaj skuadrës rivale në fushë nuk bën asnjë dëm. Formula e re e bën kampionatin serioz vetëm në tre ndeshjet e fundit të sezonit, çdo sfidë tjetër mund të konsiderohet gati e pavlerë.

Nga Pirro Bardhyli