Është vërtet shqetësuese ajo që po ndodh në futbollin e sotëm. Lojtarë pas lojtarësh po e pësojnë nga zemra, disa prej të cilëve shpëtojnë, por ka edhe nga ata që kanë fund tragjik. i fundit që u godit nga ataku ishte portieri legjendar spanjoll, Iker Kasijas, ndërsa po stërvitej me Porton. Ish-kapiteni i Realit, sot 37-vjeçar, u dërgua me shpejtësi në spital dhe për fat gjendja e tij shëndetësore u stabilizua.
Klubi i Portos reagoi menjëherë në Tuiter me mesazhin “gjithnjë të bashkuar, forca Iker”, shoqërua me një foto të prezantimit të portierit. Inkurajime për të erdhën nga Spanja, së pari nga ish-klubi i tij, Reali i Madridit, si dhe nga kapiteni i sotëm Sergio Ramos. Po ashtu, nuk munguan mesazhet mbështesëse nga Barcelona apo Atletiko e Madridit, si dhe nga klube të tjerë.
Kasijas pësoi një atak zemre, të njohur në mjekësi si infarkt akut të miokardit, dhe nuk pritet që të dalë në fushë për Porton në ndeshjet e mbetura të këtij sezonit. Nuk është e qartë nëse 37-vjeçari do ta vazhdojë karrierën apo jo.
Sfidanti.al