Ishte një Gjermani aspak familjare ajo që zbriti në fushë për të luajtur miqësoren ndaj Danimarkës, në fushën e kësaj të fundit. Trajneri Joakim Lëv kishte lënë pushim yjet kryesorë, duke filluar nga Manuel Nojer, për të vazhduar me Zherom Boatengun, Mats Humelsin, Toni Krosin apo Tomas Mylerin, ndërsa në fushë kishte emra të tillë si Zyle, Gorecka, Rudi, Shtindl apo Vagner.
Pavarësisht barazimit me shumë vështirësi në minutën e 88-të nga Xhoshua Kimih (1-1), sërish Lëv u shpreh pas ndeshjes se mbeti i kënaqur. “Skuadra u paraqit vërtet mirë, – tha trajneri kampion i botës, – ne patëm vetëm një stërvitje të vetme përpara saj, dhe po ashtu vendosëm të bëjmë shumë eksperimente. Nuk mund të prisja asgjë më tepër, madje jam më shumë i kënaqur, sesa jo i kënaqur”.
Portieri i Paris SG, Kevin Trap, bëri debutimin për kombëtaren e vendit të tij, ndërsa Gjermania e ka të qartë nuk do të vuajë aspak për “rojtarin” e portës. Tashmë, kampionët e botës do të luajnë një ndeshje të eleminatoreve të Botërorit të shtunën ndaj të vegjëlve të San Marinos, përpara sesa të udhëtojnë për në Rusi, ku do të marrin pjesë në Kupën e Konfederatave nga 17 qershori.
Sfidanti.al