Një turne që nuk ka në çerekfinale gjigande të tilla si Serena Uilliams, Maria Sharapova, Viktoria Azarenka apo Anzhelikë Kerber, ndoshta mund të jetë i mërzitshëm. Në “Rolan Garos” u kujdes një vajzë pak më shumë se adoleshente (19-vjeçare) që kjo të mos ndodhte. Jelena Ostapenko, tenistja nga Letonia, eleminoi atë që duhej të ishte favorite, Karolinë Voznjackin, dhe u kualifikua për në gjysmëfinale.
Një talent i vërtetë, bija e dy prindërve me origjinë ruse si mamaja Jelena dhe babai Jevgenijs, përballoi jo vetëm një teniste me më shumë përvojë si Voznjacki, por edhe kushtet e motit jo edhe aq të mira në fushën qendrore të Grand Slemit parizien. Ajo triumfoi 2-1 me sete, edhe pse e humbi të parin 4-6. Më tej nuk gaboi duke fituar 6-1 e 6-4, dhe në gjysmëfinale do të ndeshet me Timea Baçinskin e Zvicrës.
Baçinski, sot 27-vjeçare, është në gjysmëfinalen e dytë në Paris në 3 vjet. Vajza me origjinë hungareze (madje edhe hebreje) ka pasur një fëmijësi dhe adoleshencë të vështirë pasi babai i saj donte që ajo patjetër të fitonte, duke e stresuar shumë. Sot ajo ka mundësi të fitojë, por më shumë për vete, sesa për babain që është ndarë nga mamaja dhe tashmë është thuajse i huaj për të.
Sfidanti.al