Italia nuk bind Ançelotin, të kaltrit kanë afat deri në maj për trajnerin!

Ishte shpresa më e madhe e kombëtares së shquar. Italia mendonte Karlo Ançelotin si njeriun e stolit, veçse përgjigja nga trajneri i shquar nuk ishte ajo e dëshiruara. Ish-tekniku i Bajernit, Realit, Paris SG, Çelsit e Milanit, i bëri me dijë drejtuesve të Federatës Italiane të Futbollit, se vetëpërjashtohet nga gara.

“La Gazeta delo Sport” zbulon se fillimisht pati optimizëm për pranimin e detyrës nga Karleto, veçse arsyet për ta refuzuar ishin të shumta, që nga rroga që do të ishte sa gjysma e asaj tek Bajerni, tek dëshira e trajnerit për të drejtuar sërish në klube të mëdhenj, por edhe tek paqartësia e së ardhmes në vetë Federatën Italiane, aktualisht në fazë tranzicioni.

Ançeloti do të kishte qenë maksimumi i sotëm, pasi flitet për një njeriu fitues që ka triumfuar në Champions me Milanin e me Realin, ka fituar tituj në Spanjë, në Itali, në Angli me Çelsin, në Francë me Paris SG dhe në Gjermani me Bajernin.

Me tërheqjen e tij, favorit sipas mediave është Roberto Mançini. Trajneri i Zenitit të Shën Peterburgut ka një karrierë të niveleve të larta duke dalë kampion disa herë me Interin, por edhe me Mançester Sitin. Duket vështirë që të vijë Konte, por si zgjedhje tjetër mbetet edhe Klaudio Ranieri i Nantës.

Kombëtarja e Italisë po kalon një krizë të vërtetë, që pas eleminimit në fazën kualifikuese të Botërorit, duke mos mundur të shkonte në Kupën e Botës. Disfata në plej of ndaj Suedisë solli largimin e trajnerit Xhampiero Ventura, dhe po ashtu dorëheqjen e krerëve të Federatës. Përfaqësuesja po drejtohet në mënyrë të përkohëshme nga trajneri Luixhi Di Biaxho, ndërsa afati për të gjetur trajnerin e ri, i dhënë nga presidenti i përkohshëm, komisioneri Roberto Fabriçini, është data 20 maj.

Sfidanti.al