Italia do fitoren ndaj Zvicrës, por humb dy yje, dhe dy i ka në dyshim

Roberto Mançini duket i qetë, por gjithsesi asgjë nuk mund të cilësohet e arritur pa ia dalë në fushën e lojës. Italia, kampione e Europës, pas dështimit që pati ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, do të kërkojë të shmangë ndonjë të papritur kundër Zvicrës në eleminatoret e Botërorit. Një fitore do të ishte thuajse një kualifikim, diçka që është e mundshme në stadiumin “Olimpiko” të Romës, edhe pse të kaltrit kanë disa probleme.

Dy lojtarët e Romës, Zaniolo dhe Pelegrini janë të dëmtuar dhe u larguan nga grumbullimi. Për fat, duket se Bonuçi e Kielini janë më mirë, po ashtu Barela duket se nuk ka marrë ndonjë goditje të rëndë në derbi, edhe pse nuk është i sigurt. Verrati po ashtu është i dëmtuar. “Më vjen keq për Zaniolon sepse do të kishte qenë një ndeshje e veçantë për të në “Olimpiko”, – tha Mançini, – nuk pati fat pasi vjen pas dy dëmtimeve të rënda, gjithsesi është i ri dhe i fortë, e do ta kalojë këtë moment. Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, duhet të jemi të qetë, ndonëse me Zvicrën e kemi pasur shpesh të vështirë”.

Sfidanti.al