Bravo Reja që beson tek fitorja me Anglinë, por ngjan si puna e lepurit me luanin!

Trajneri i kombëtares shqiptare doli përpara gazetarëve ditën e sotme duke i habitur jo pak me optimizmin e plotë për ndeshjen e vështirësisë maksimale në “Uembli” ndaj shpikësve të futbollit. Edi Reja deklaroi se do të jetë shumë e zorshme, por Shqipëria do të kërkojë fitoren për të ndjekur ëndrrën “botërore”, ashtu siç do të kërkojë të bëjë me Andorrën. “Ndaj Anglisë e dimë se do të jetë shumë e vështirë, por ne kemi mundësitë tona, dhe jemi mirë nga ana psikologjike, – tha italiani, – Do të shkojmë në “Uembli” për të luajtur në maksimumin tonë dhe për të marrë maksimumin e mundshëm”. Dakord, besimi nuk është aspak gjë e keqe të besosh edhe tek ajo që duket e pamundur, por gjithsesi me shaka po themi se kjo ngjan si puna e lepurit që pasi u bë tapë, nisi të bërtiste, “ku është ai luani që ta shqep në dru”! Shqipëria ka luajtur dy herë në fushën e Anglisë duke humbur 0-5 e 0-2, ndërsa në Tiranë jemi mundur 0-2, 1-3 e 0-2.

Sfidanti.al