Kur Italia dilte në fushë një mbrëmje nëntori të vitit 1993, për të luajtur kualifikimin për në Botëror ndaj Portugalisë, trajneri Arrigo Saki hidhte në fushë Albertinin, Donadonin, Mançinin, Roberto Baxhon. Sa shumë “diamante”, shkruan “La Gazeta delo Sport”. Sot, trajneri Roberto Mançini, duhet të “kavardiset” me ata që ka.
Nuk janë për t’u hedhur poshtë, por nuk janë “ajka” e dikurshme. Në mbrojtje Kielini, me 100 ndeshjet në kombëtare, në mesfushë dyshja Verrati-Zhorzhinjo, po ashtu talenti i ri Barela, dhe lojtarë të sulmit jo të nivelit të Harri Kejnit, Kilian Mbapesë apo Robert Levandovskit.
Gjithsesi, Italia do të ketë sonte në “San Siro” një mbështetje të madhe në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Portugalisë. Mbi 70 000 spektatorë priten në “tempullin” milanez, dhe ata kërkojnë nga kombëtarja e tyre që t’u japë kënaqësitë e dikurshme, diçka që ka ndodhur për herë të fundit në 2012 apo diçka në 2016, pra në Europianë. Nëse fitohet, ka shanse për kualifikim, por kryesorja, ka arsye për të qenë optimistë për të ardhmen, se “Italia do të bëhet”.
Sfidanti.al