Interi dhe Bajerni, 40 vjet me radhë kanë të paktën nga një lojtar në finalen e Botërorit

Në fund ishin zikaltërit që e patën kampionin e rruzullit, ndonëse ai luajti shumë pak. Lautaro Martinez (në foto) fitoi Kupën e Botës me Argjentinën e Mesit, dhe Interi pati jo vetëm një lojtar në finale për vitin e 40-të radhazi, por pati edhe fitues. Në 1982, Interi pati lojtarët sepse në finalen e Botërorit spanjoll arriti Italia dhe Gjermania Perëndimore (Altobeli, Rumenige). Në 1986, ishin Rumenige dhe Mateus të Gjermanisë, në 1990 ishte Klinsmani i Gjermanisë, në 1994 ishte Nikola Berti i Italisë, në 1998 ishte Zhorkaef, në 2002 ishte Fenomeni Ronaldo, në 2006 ishte Materaci, në 2010 ishte Snejder i Holandës, në 2014 ishte Palasio i Argjentinës, në 2018 ishte Brozoviç i Kroacisë.

Gjithsesi, Interi nuk është ekipi i vetëm që ka të paktën një lojtar në finalet e Botërorit, pasi këtë gjë e ka arritur edhe Bajerni. Në 1982, 1986 dhe 1990, në ndeshjen fundore ishte vetë Gjermania që pati lojtarë bavarezë. Në 1994, Zhorzhinjo doli kampion me Brazilin, në 1998 ishte Lizarazuja që fitoi trofeun me Francën, në 2002 ishte sërish Gjermania në finale, ndërsa në 2006, Bajerni u përfaqësua nga Vili Sanjol i Francës. Në 2010, ishte radha e holandezit Arjen Roben dhe në 2014 doli Gjermania në finale duke fituar edhe kupën. Në 2018 ishte Toliso i Francës (kampion) dhe në 2022 ishin Lykas Hernandez, Koman, Pavar dhe Upamekano që të gjithë francezë. Pra, prej 40 vitesh kemi finalen Bajern-Inter.

Sfidanti.al