Inter Miami nuk ka ndërmend të lëshojë Lionel Messin. Klubi amerikan, në pronësi të David Beckham, është i bindur se do të arrijë marrëveshjen për zgjatjen e kontratës me ‘yllin’ argjentinas, i cili aktualisht është i lidhur me ekipin deri në fund të vitit 2025. Sipas raportimeve të “The Athletic”, drejtuesit e Inter Miamit janë të qetë për të ardhmen e numrit 10, edhe pse së fundmi kanë qarkulluar lajme për një tjetër interesim të fuqishëm nga Arabia Saudite.
Al Ahli, një nga klubet kryesore në vendin arab dhe fitues i Champions-it aziatik, po synon të bëjë realitet një tjetër duel të madh mes Messit dhe Cristiano Ronaldos, këtë herë në Ligën Saudite.
Megjithatë, Inter Miami mbetet optimist.
Ata shohin në Messin jo vetëm një ikonë sportive, por edhe një figurë qendrore për zhvillimin e projektit të klubit dhe të vetë futbollit amerikan.
Aventura në SHBA, e nisur në verën e vitit 2023, shihet si ideale për përgatitjen e Messit në prag të Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet pikërisht në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Në sezonin aktual të Major League Soccer, Messi ka qenë vendimtar: në 14 ndeshje ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 6 asistime, duke treguar ende nivel të lartë pavarësisht moshës 38-vjeçare.
Tani mbetet të shihet nëse oferta financiare saudite do të tundojë “Pleshtin” apo nëse projekti sportiv dhe jetësor në SHBA do të mjaftojë për ta mbajtur atë në Florida edhe përtej vitit 2025.
sfidanti.al