Antolín González, i cili konsiderohej si një nga premtimet më të mëdha në sportet motorike spanjole, është rikthyer në lajme vite më vonë, por këtë herë për arsyet të këqija. Spanjoli, i cili bëri histori në moshën 13-vjeçare, duke drejtuar një makinë në Formula 3, u arrestua të shtunën për vrasjen e dyshuar të babait të tij, në qytetin Aranda de Duero, në Burgos. Sipas informacioneve nga burimet policore dhe mediat si ‘El Correo de Burgos’, një telefonatë emergjente njoftoi për një sulm me një armë të mprehtë, që la një burrë të plagosur rëndë.
Viktima u identifikua si Antolín González, 56 vjeç. Pavarësisht përpjekjeve të ndihmës së shpejtë, burri nuk i mbijetoi plagëve të marra. Në kohën e sulmit, nëna e të riut dhe ish-gruaja e viktimës, ishin të pranishme dhe ishin ato që kontaktuan shërbimet e emergjencës. Pas krimit, i dyshuari iku dhe u gjet më vonë në Sinovas, një qytet aty pranë. Policia po vazhdon të hetojë motivin pas vrasjes, me burime lokale që sugjerojnë një konflikt të mundshëm familjar. Arma e vrasjes nuk është gjetur ende. Që në moshë të vogël, Antolín González demonstroi një talent të jashtëzakonshëm për sportet motorike. Në moshën tetëvjeçare, spanjoli theu rekordin në pistën e kartingut Villariezo. Antolín garoi në Formula 4 spanjole, Formula 3 me ekipin Drivex, Formula Masters China dhe Serinë Asian Formula Renault, ku u rendit i dyti në vitin 2018.
sfidanti.al