Pasi trajneri Simone Inzaghi konfirmoi largimin për të pranuar ofertën e majme të Al Hilal-it, Inter ka nisur menjëherë lëvizjet për të gjetur pasardhësin. Botërori i Klubeve është shumë afër dhe klubi dëshiron të fluturojë drejt SHBA-së javën e ardhshme me një staf teknik të përcaktuar. Emri që ka dalë menjëherë në skenë dhe që ka marrë pëlqimin e drejtuesve është ai i Cesc Fabregas. Ish-mesfushori katalanas, aktualisht trajner i Como-s në Serie A, është në ‘pole-position’ për pankinën zikaltër.
Fabregas ndodhet në Londër, ku është zhvilluar një takim i parë me praninë e Mirwan Suwarsos, përfaqësues i pronarëve të Como-s, me synimin për të diskutuar të ardhmen. Ndërkohë, Como nuk rri duarkryq dhe po mendon për Daniele De Rossin si alternativë të mundshme nëse Fabregas largohet.
Spanjolli ka një kontratë me Como-n që skadon në vitin 2028 dhe përfiton rreth një milion euro në sezon. Megjithëse ka pasur kontakte me klube si Bayer Leverkusen dhe Roma, Fabregas i ka refuzuar ato duke u përqendruar në projektin me Como-n. Megjithatë, simpatia e tij për stilin e lojës së Interit të Inzaghit është bërë e njohur, dhe për shumëkënd kjo është një sinjal i qartë që vetëm Interi mund ta tundonte për të lënë Como-n.
Të martën në mbrëmje është zhvilluar kontakti i parë konkret mes palëve, dhe pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Pengesa e aksioneve në Como
Një nga çështjet që duhet zgjidhur është ajo e aksioneve: Fabregas zotëron ende pjesë të aksioneve të klubit të Como-s, dhe rregulloret e futbollit italian nuk lejojnë që një individ të ketë aksione në një klub ndërsa punon për një tjetër. Për këtë arsye, nëse do të firmosë me Interin, ai duhet më parë të shesë pjesën e tij të aksioneve.
Përfundimi i kësaj sage mund të vijë brenda pak ditësh, me Interin që shpreson të ketë trajnerin e ri gati para nisjes për SHBA.
sfidanti.al