Barcelona mund të përballet me një ndëshkim serioz në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve për shkak të një shkeljeje të dytë të rregullave financiare të vendosura nga UEFA, sipas asaj që raporton prestigjiozja britanike ‘The Times’.
Klubi katalanas ka kaluar për herë të dytë kufijtë e përcaktuar nga rregullat e ‘Fair Play Financiar’, çka e vendos në një pozitë të rrezikshme përballë organeve disiplinore të UEFA-s. Në të njëjtën situatë, por me pasoja më të lehta, janë edhe Chelsea dhe Aston Villa, të cilët kanë kryer shkelje për herë të parë dhe mund të përballen me ndëshkime më të buta.
Çfarë rrezikon Barcelona?
Sipas The Times, ndër ndëshkimet e mundshme që mund të aplikohen ndaj Barcelonës janë:
- Kufizimi i numrit të lojtarëve që mund të regjistrojë në Champions League, çka do ta detyronte klubin të garonte me një skuadër më të vogël.
- Humbje pikësh në fazën e grupeve të sezonit të ardhshëm, në rast se kualifikohet.
Kjo nuk është hera e parë që Barcelona ka probleme me organet financiare të UEFA-s. Në tetor të vitit të kaluar, klubi katalanas humbi një apelim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS) lidhur me një gjobë prej 500 mijë eurosh për deklarim të pasaktë të fitimeve. Megjithëse gjoba u konsiderua e butë, TAS paralajmëroi qartë: një shkelje e dytë do të sillte pasoja më të rënda.
UEFA pritet të veprojë
Sipas burimeve të ‘The Times’, kjo shkelje e dytë tashmë ka ndodhur dhe Komiteti i Kontrollit Financiar të Klubeve të UEFA-s (CFCB) pritet të publikojë në javët në vijim detajet e klubeve që nuk kanë përmbushur kriteret financiare gjatë sezonit 2023-2024.
Në deklaratën e mëparshme të TAS, thuhej:
“Një shkelje e ngjashme në ndjekjen e sezonit 2023-24 do të përbënte një rast të përsëritur dhe do të sillte masa disiplinore më të rënda ndaj Barcelonës”.
Nëse ndëshkimi materializohet, ai do të ishte një tjetër goditje për një klub që po përpiqet të rikthehet në majat e futbollit evropian, por që vazhdon të vuajë pasojat e krizës financiare dhe menaxhimit të keq të viteve të fundit.
sfidanti.al