Jadon Sancho i jep lamtumirën Chelsea-t

Mbrëmjen e së martës, Jadon Sancho ka zyrtarizuar largimin nga Chelsea, duke mbyllur përfundimisht aventurën e tij në Londër. Sulmuesi anglez ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se nuk do të vazhdojë me “Blutë”, ndërkohë që klubi londinez ka paguar një penalitet prej 6 milionë eurosh për të mos e aktivizuar klauzolën e blerjes së detyrueshme. Sancho ishte huazuar nga Manchester United në fillim të sezonit me një klauzolë blerjeje prej 30 milionë eurosh, të cilën Chelsea kishte planifikuar fillimisht ta aktivizonte. Por, për shkak të mospajtimeve me lojtarin, marrëveshja përfundimtare nuk u arrit dhe londinezët vendosën të tërhiqen, duke paguar dënimin financiar të parashikuar në kontratë.

Në një mesazh emocional drejtuar tifozëve, Sancho shkruan:

“Mirënjohës për këtë përvojë. Një përqafim i madh për të gjithë ata persona te Chelsea që më bënë të ndihem si në shtëpi: shokët e skuadrës, stafin dhe tifozët. I uroj klubit çdo të mirë për të ardhmen. Shumë faleminderit, Blues!”
Sancho e mbyll sezonin me 5 gola dhe 8 asistime në 41 paraqitje, duke pasur një ndikim solid në fushë, por jo të mjaftueshëm për ta bindur Chelsea-n për blerjen e tij përfundimtare. Tashmë ai rikthehet te Manchester United, por vetëm përkohësisht, pasi është futur në listën e lojtarëve të transferueshëm. 24-vjeçari pritet të kërkojë një klub të ri gjatë merkatos së verës, me objektivin për t’u rikthyer në formën më të mirë dhe për të rigjetur karrierën e tij në nivelet më të larta.

sfidanti.al