Ikja e dytë e De Biazit, pas “dashurisë” shqiptare humb edhe “dashurinë” spanjolle!

Dita e parë e stërvitjes, ishte një kënaqësi. Xhani De Biazi ishte I lumtur që e vazhdoi karrierën e tij edhe në moshën 61-vjeçare, por Spanja doli sërish fatale. Ish-trajneri I Shqipërisë u shkarkua nga Deportivo Alavesh, klubi I Ligës së Parë spanjolle, pas humbjes së pësuar në shtëpi ndaj Eibarit.

Disfata e zbriti ekipin në vendin e fundit në renditje, plot 6 pikë larg zonës së shpëtimit dhe drejtuesit nuk patën më durim dhe besim. Dy fitore të arritura nën drejtimin e De Biazit nuk ishin bilanc I mjaftueshëm, pasi u pësuan 5 humbje. Italiani nuk ishte në stol në fillimin e sezonit, pasi u emërua në 23 shtator për të zëvendësuar ish-trajnerin Zubeldia.

Alavesh, në momentin që ai nisi punën, ishte sërish në vendin e fundit, madje pa asnjë pikë të fituar, me 6 humbjë në 6 ndeshjet e luajtura deri në atë moment. Përmirësimi me italo-shqiptarin nuk mjaftoi dhe ndoshta skuadra nuk e ka cilësinë për të përballuar nivelin e Primera Divizionit, edhe pse në përbërje janë lojtarë të njohur të sulmit si Bojan Krkiç apo Munir El Hadadi.

Alavesh falenderoi De Biazin pas ndërprerjes së bashkëpunimit, I uroi sukses në të ardhmen dhe caktoi si trajner të përkohshëm Havier Kabejon. Nuk dihet ndërkaq nëse ish-trajneri I Shqipërisë do të ketë shans tjetër.

Sfidanti.al