Është emri kryesor që përflitet për mbrojtjen e Juves, dhe ai nuk humbet kohë, por i shkel syrin “Zonjës”. Bëhet fjalë për Milan Skriniar, i cili nga grumbullimi me kombëtaren ka treguar gjithë pakënaqësitë që ka në Paris. “Situata është kjo që është dhe sigurisht që nuk jam i lumtur, por e vetmja gjë që mund të bëj është që do të vazhdoj të stërvitem mirë dhe të punoj shumë. A kam folur për këtë me Luis Enriken? Jo, sepse ai nuk flet për këto gjëra. Sigurisht që do të doja të kisha më shumë mundësi, por i respektoj vendimet e trajnerit.
Po përpiqem të luftoj për të fituar një shans tjetër. Do të pres shansin tim”, ishin disa nga deklaratat që Milan Skriniar bëri fillimisht për të shprehur të gjithë pakënaqësinë që ka në Paris për momentin, ndërsa zbuloi gjithashtu edhe një prapaskenë në merkaton e verës. Ish-mbrojtësi i Interit tregoi se si donte të largohej që në verë, por në fund vendosi t’i jepte një tjetër shans PSG-së. “Në verë kisha shumë opsion ku mund të transferohesha, por më thanë se këtë sezon do të përdoresha më shumë sesa sezonin e kaluar. Kisha mundësi edhe për t’u huazuar në vende të tjera kur ishte fundi i merkatos.
Megjithatë, në fund morëm vendimin që unë të qëndroja dhe të luftoja për një fanellë titullari”, tha Skriniar, i cili tashmë është në pritje të një lëvizjeje të Kristiano Xhuntolit për ta afruar atë në radhët e “Zonjës së Vjetër”.
sfidanti.al