Hysaj është abonuar me formacionin, Napoli po “abonohet” me fitoret!

Largimi i Karlo Ançelotit duhet të jetë pritur me një shishe verë të hapur për festë. Ka arsye Elseid Hysaj, pasi me Xhenaro Gatuzon po luan pa mbarim, dhe Napoli më në fund po fiton. Me mbrojtësin shqiptar të kthyer si në kohën e Mauricio Sarrit, skuadra napolitane po bëhet “me krahë”. Fitorja ndaj Juventusit e ka nxitur për më tepër, dhe ja ku erdhi suksesi 4-2 në fushën e Sampdorias. Edhe pse me vuajtje, sërish  ishte i merituar, dhe skuadra po shkon në rrugën e duhur. Napoli shpërdoroi avantazhin 2-0, u mbërrit në 2-2, por pati forcë të reagojë dhe të fitojë. Arkadius Milik, Elif Elmas, Diego Deme dhe Dris Mertens ishin autorët e golave, ndërsa Kualiarela e Gabiadini barazuan përkohësisht për vendasit. Napoli ende nuk është shumë lart në renditje, i 9-ti me 30 pikë, por nëse do të vazhdojë kështu, deri tek vendi i 6-të mund të mbërrijë pa problem. Le të mos i vijë keq Milanit, por të kaltrit kanë më shumë “yndyrë”, ndërsa zona Champions duket larg me Atalantën e Romën.

Sfidanti.al