Sezoni u duk si një kalvar, pasi trofetë që u fituan ishin pak për investimet dhe pretendimet. Mançester Siti ia doli të merrte vetëm Superkupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës, kurse dështoi keqazi në duelin me Liverpulin për titullin, dhe në synimet madhëshore për Ligën e Kampionëve. Gjithsesi, edhe në këtë edicion aspak pozitiv për një ekip të krijuar me qindra milionë paundë stërlina, ishte dikush që duhet ndarë veçmas. Ky është Kevin De Brujni, mesfushori i mrekullive që realizoi 13 gola e shërbeu 20 asistë në Premier Ligë, dhe që u shpall Lojtari më i mirë i vitit. Në një garë të fortë, ai la pas dy yjet e Liverpulit, Sadio Mane e Virgil Van Dajk. De Brujni barazoi rekordin e Tieri Henrisë me 20 asiste në Premier Ligë, ndërsa u bë i pari lojtar i Sitit që e fitoi këtë çmim në të gjitha kohët.
Sfidanti.al