Fundi i trajnerit De Biazi në krye të Kombëtares së Shqipërisë ishte edhe më i natyrshmi. Duke pasur parasysh karakteristikat e ambjentit ku jetoi, në të cilin mbizotëron mungesa e sinqeritetit, hipokrizia, mosmirënjohja e fodullëku, nuk mund të të presësh tjetër, veçse të të përzënë duke të të puthur. Madje ka edhe një arsye, pse ekzistenca e italianit në këtë ambjent zgjati kaq shumë, rreth pesë vite e gjysmë. Fillimisht De Biazi erdhi për të punuar, duke e ristrukturuar nga e para një skuadër të shkatërruar dhe për sa kohë ishte kokëulur nuk cënonte askënd. Më pas filloi t’i shtoi vetes doza arrogance, duke i kaluar disi kufinjtë, ndërsa me kualifikimin e Kombëtares në Euro 2016, u kujdes të merrte për vete të gjitha meritat e arritjes historike. Tani kishte zaptuar pronën e dikujt tjetër dhe duhej të priste pasojat. Të gjithë e mbajnë mend, se si në ato ditë deliri, në sheshin “Nënë Tereza” turmat e njerëzve nuk i trajtuan të gjithë si heronj, por vërshëllenin Dukën dhe thërrisnin me histeri emrin e De Biazit. Dhe menjëherë, vetë Federata organizoi një fushatë denigruese për trajnerin që kishte dalë nga kontrolli, duke u përfshirë në të që nga punonjësi me gradën më të ulët në hirearkinë e institucionit dhe deri tek ata që janë më afër presidentit. Aq të prerë e kishin urdhërin për t’i kthyer reston De Biazit, saqë e promovuan gati publikisht si meritë të tyren, faktin që kishin paguar para nën dorë, për të ndihmuar kualifikimin e Shqipërisë.
Ndërsa De Biazi, menjëherë pas kthimit nga Izraeli, u shfaq përpara gazetarëve shumë i revojtuar, madje edhe i tradhëtuar dhe konfirmoi se nuk do të rinovonte më me Kombëtaren, gjë që në fakt as që ja kishin kërkuar. Por i gjithë ky nervozizëm i italianit zgjati vetëm 24 orë, pasi në nesërmen Xhani u kthye sërish në të njëjtën sallë, tashmë në krah të Dukës dhe na solli në mendje trajnerin e ditëve të para të aventurës shqiptare. U puth, qau në tavolinë, por “i qetësoi” të gjithë, duke thënë se pagën do ta merrte rregullisht deri në ditën e skadimit zyrtar të kontratës. Ndërsa të shtunën, për të luajtur edhe aktin e fundit të hipokrizisë, De Biazin e kanë thirrur për një festë lamtumire, të organizuar për shkarkimin e tij të dhunshëm. Dhe në program është parashikuar, që 23 kate mbi tokë, në majën e një hoteli në kryeqytet, do ta puthin për herë të fundit “italianin fluturues”.