Misteri mbetet plotësisht i pazbuluar. Dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve nuk dhanë ndonjë sinjal se cili do të dalë në krye në atë që cilësohet “grupi i vdekjes”. Gjermania me Anglinë u ndanë 1-1 në Mynih, ndërsa Italia mundi 2-1 Hungarinë në shtëpi. Në “Alianc Arenë” nuk u bë drejtësi me rezultatin, pasi barazimi nuk iu përgjigj asaj që skuadra e trajnerit Hansi Flik dha në fushën e lojës. Ish-tekniku i Bajernit nuk e fshehu zhgënjimin.
“Ne luajtëm ashtu siç e kishim përgatitur ndeshjen, – deklaroi ai, – saktësisht siç duam që të luajmë futboll. Mendoj se ne u dhamë kënaqësi tifozëve në stadium dhe atyre që e ndoqën ndeshjen në televizor. Mëkat që nuk morëm atë që meritonim. Kishim përballë një rival shumë të fortë në sulm, dhe Nojeri bëri pritje të mëdha. Nuk mund ta komentoj penalltinë”.
Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, nuk e kritikoi ekipin e tij, përkundrazi e vlerësoi për reagimin pas pësimit të golit, ndërsa Harri Kejn shënoi golin e 50-të me kombëtaren. “Ishin përballë dy skuadra shumë të forta, – u shpreh anglezi, – ishte e vështirë dhe rezultati ishte i mirë për ne. Më vjen mirë që lojtarët treguan karakter duke reaguar pas humbjes së kaluar. Një skuadër e madhe nuk humb dy ndeshje radhazi. Skuadra nuk u dorëzua pasi pësoi gold he mendoj se e kërkoi barazimin që ishte i merituar”.
“Flik bëhet “Hansi 1-1”, – shkruan “Sport Bildi” në Gjermani, – trajneri nuk ka humbur asnjë ndeshje, por nuk fiton ndaj një rivali të madh për të tretën herë”. Tabloidi “Deili Meil” në Angli thekson se kombëtarja ishte e lodhur në Gjermani për shkak të nivelit frenetik të Premier Ligës”.
Italia ndërkaq la pas eliminimin nga Botëror, humbjen e rëndë me Argjentinën dhe barazimin në shtëpi me Gjermaninë duke mundur 2-1 Hungarinë. Trajneri Roberto Mançini bëri shumë ndryshime dhe u duk se kjo funksionoi. “Kjo është një skuadër e re, – tha tekniku, – dhe kjo e bën më entuziaste. Natyrisht, duhet që të përmirësohet mjaft, dhe rruga është e gjatë, por e rëndësishme ishte fitorja. Natyrisht, ende nuk mund të ketë krahasim me skuadrën që fitoi Europianin, edhe pse luftoi fort për topin, dhe luajti mirë në zona të ngushta.” Barela e Pelegrini shënuan për Italinë, që shkaktoi edhe autogol me mbrojtësin Mançini në pjesën e dytë.
Sfidanti.al