Hipokrizia në Perëndim vazhdon me fushatën kundër golfistëve që u bashkuan me Arabinë Saudite

Mbretëria suni po përpiqet këto kohë që të zgjerojë lidhjet e saj sportive nëpër botë duke e ditur se kjo është një mënyrë e mirë për të arritur në një bashkëpunim më të thellë. A nuk u luajtën ndeshje pingpongu mes kinezëve dhe amerikanëve në vitet 70-të përpara sesa të takohej Niksoni me Mao Ce Dunin? Gjithsesi, kjo taktikë jo gjithmonë pëlqehet, në Perëndim apo në Lindje. Për momentin, është Perëndimi që ka marrë flamurin e puritanizmit duke akuzuar disa kampionë të shquar të golfit për lidhjet e tyre sportive dhe financiare me sauditët. Kritika pati edhe për shitjen e aksioneve të Njukasëllit të Premier Ligës tek familja mbretërore saudite, por disi më të pakta. Puritanistët e sotëm thonë se shteti saudit i ka duart të lyera me gjakun e gazetarit Hashoxhi, ndaj edhe nuk është i moralshëm ky bashkëpunim. Gjithsesi, këta puritanë zakonisht punojnë nëpër media apo fondacione që financohen nga para të industrisë së madhe, në të cilën bën pjesë edhe ajo ushtarake. Ata duhet të lexojnë ndonjë gjë dhe të mësojnë se vetëm gjatë administratës Obama, Arabia Saudite mori 115 miliardë USD armatime nga SHBA. Në këtë rast, puritanizmi duket se është shitur në këmbim të këtyre dollarëve.

Sfidanti.al