U fut në fushë i bindur për të treguar veten. Armando Broja më në fund ia ndryshoi mendimin trajnerit të tij, Ralf Hazenhytl, që mendonte se ai ishte vetëm një zëvendësues shumë i mirë, duke i treguar se mund të jetë edhe një titullar po kaq i mirë. Vërtetimi për një sulmues vjen vetëm me gola dhe ylli kuqezi ia doli, në atë që ishte rrjeta e tij e parë në Premier Ligë. Ishte po ashtu, rekordi sepse 20-vjeçari u bë titullari më i ri që shënon në debutim për Sauthemptonin në elitën angleze, në moshën 20 vjeç e 36 ditë. Gjithsesi, pas ndeshjes ai foli për fitoren e ekipit.
“Ishte e mrekullueshme mënyra sesi luajtëm këtë ndeshje, – tha Broja, – gjithçka ishte e shkëlqyer, mënyra sesi bënë presing, ne e zbatuam planin tonë me përpikmëri, ne u mbrojtëm shumë mirë. U treguam shumë të zotë që nga portieri e deri tek lojtarët e sulmit. Nuk mund të gjej fjalët e duhura për t’i falenderuar djemtë siç duhet. Ata ishin sot të pabesueshëm. Ne ishim sot një skuadër e madhe. Ishin tri pikë shumë të rëndësishme dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”.
Në një moshë fare të re, ai ka vendosur caqet, apo gurët kilometrikë në karrierën e tij që premton shumë. Në 8 mars 2020 bëri debutimin për Çelsin, ndaj Evertonit, në një fitore 4-0 në shtëpi në Premier Ligë. Në 19 shtator 2020 shënoi golin e parë për Viteshen, në Superligën e Holandës, në fitoren 2-0 ndaj Spartës së Roterdamit, i huazuar pikërisht nga Çelsi. Atë sezon e mbylli me 10 gola në 30 sfida të kampionatit. Në 5 shtator 2021 realizoi për herë të parë në kombëtaren shqiptare, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm për të kompletuar karrierën. Nuk është aspak keq që ai ka 3 rrjeta për kuqezinjtë në 10 ndeshje, në mesataren e legjendave Përnaska, Kushta apo Sadiku.
Sfidanti.al