Guardiola i jep pa kursim Arsenalit atë që e ka me tepri, milionat!

Jo gjithnjë palët janë në një mendje, madje shpesh as nuk bëhet fjalë të kënaqen të dyja. Kështu po ndodh edhe për transferimin e mundshëm të Aleksis Sançezit, ndërsa një garë nervash po zhvillohet mes Mançester Sitit dhe Arsenalit. Londinezët hodhën poshtë 50 milionë stërlina të ofruara nga Guardiola, por pritet që trajneri i “qytetarëve” të rrisë “stekën” dhe të arrijë në 70 milionë stërlina, apo 75 milionë euro. Besohet se ky është vlerësimi që vetë Arsenali i bën kartonit të sulmuesit nga Kili, veçse këtu nis mospërputhja. Guardiola jep pa kursim atë që e ka me tepri, pra milionat e stërlinave që ia sigurojnë pronarët-sheikë të klubit.

Arsen Venger, jo se nuk pëlqen t’i marrë 75 milionë euro, por kështu si është katandisur Arsenali, dhe me më pak se 24 orë kohë deri në mbylljen e “dritares” së transferimeve, e ka të pamundur të gjejë një zëvendësues për të qenë për Sançezin. U mendua se trajneri francez kërkoi Agueron, dhe ndoshta kështu është, por tani thuhet se edhe Rahim Stërling do të ishte një përforcim shumë i mirë sipas mendimit të tij. Guardiola, ndërkaq nuk dëshiron të humbasë asnjë lojtar (nuk dihet për Agueron), pasi Siti është i detyruar që të luftojë në çdo front dhe çdo dëmtim apo problem tjetër sjell shqetësime të mëdha.

Sfidanti.al