Mesi dhe fëmija uruguajan, një gjest i madh i yllit të “njollosur” të Barçës!

Autobusi i skuadrës mbërriti në hotel. Duhej të ishte një atmosferë jo edhe aq miqësore për Argjentinën në kryeqytetin e Uruguajit, Montevideo, por ndodhi ndryshe. Rojet e sigurisë larguan një fëmijë që donte me patjetër të takonte Mesin, ndërsa rreth 100 tifozë ishin aty pranë.

Kjo duhej të ishte një skenë nga më të rëndomtat, nëse vetë ylli i Barcelonës nuk do të kishte ndërhyrë. Mesi kërkoi që ta sillnin fëmijën që ta takonte, dhe forcat e sigurisë u bindën menjëherë. Ajo që ndodhi më pas ishte e parashikueshme, ndërsa tifozi i vogël pati mundësi të shkëmbente ndonjë fjalë, të merrte ndonjë autograf dhe të shkrepte ndonjë foto në krah të idhullit të tij. Gjithçka zgjati rreth 25 sekonda, dhe fatkeqësisht djali nuk i shpëtoi një tjetër shtyrjeje nga roja i sigurisë, që mesa dukej nuk dinte të sillej ndryshe.

Uruguajani i vogël u bë kurioziteti numër 1 i mediave, edhe më shumë sesa kombëtarja e Argjentinës, që do të luajë ndaj Uruguajit një ndeshje të Botërorit. Mes fëmijës dhe njërit prej gazetarëve u zhvillua një bisedë e shkurtër.

Si quhesh? Lusiano Vieho! Sa vjeç je? 11! A, 11 vjeç, je fanatik i Mesit? Po, patjetër! Çfarë i the Mesit? Mesi është i thjeshtë, ashtu si Suarezi, më falni se as nuk mundem të flas!

Pavarësisht nga bukuria e kësaj skene, sërish ndjen keqardhje për një fëmijë kaq të vogël, në varësi të plotë nga një njeri tjetër, qoftë ky edhe futbollist i madh. Vetë Mesi, nga takime të tilla, mund të kuptojë më shumë dhe t’i paguajë sa më rregullisht taksat, që duhen pikërisht për fëmijë si Lusiano.

Sfidanti.al