Ishte një fitore e thjeshtë, e vogël, vetëm 1-0, por gjithsesi solli tri pikë të tjera dhe vazhdimin e një ecurie tashmë legjendare. Liverpuli ka 25 fitore e vetëm 1 barazim në 26 ndeshje të Premier Ligës këtë sezon, dhe synimet janë konkrete që të mbyllet gjithë edicioni pa humbje. Mbeten edhe 12 duele deri në fund, më i vështirë nga të cilët do të jetë në fushën e Mançester Sitit. Nëse ia del të mos humbasë, Liverpuli do të barazohet me Arsenalin e sezonit 2003-2004 që fitoi Premier Ligën pa asnjë humbje, edhe pse ai Arsenal pati 10 barazime, ndërsa skuadra e Jurgen Klopit do të ketë, me gjasë, shumë më pak.
Sadio Mane shënoi në pjesën e dytë, ndërsa hyri në lojë si zëvendësues, dhe Jurgen Klopi deklaroi se kjo ishte një fitore e madhe, që tregoi mentalitet të fortë të skuadrës së tij, të penguar dukshëm nga era. “Ishte ndeshje e vështirë për shumë faktorë, – tha gjermani, – frynte erë, kundërshtari ishte i fortë, dhe i organizuar, ndërsa ne luajtëm keq në pjesën e parë. Nuk ishim nervozë, edhe pse ndeshja nuk ishte e bukur. Lojtarët dhanë maksimumin dhe treguan karakter”. Pak nga pak, vëmendja e të kuqve do të zhvendoset tek Championsi, ku në turin e dytë do të ndeshet me Atletikon e Madridit. Liverpuli është kampion i Europës në fuqi, dhe finalist në dy sezonet e fundit.
Sfidanti.al