Për të vetët është lojtari i vitit, deri tani. Myrto Uzuni vlerësohet si më i rëndësishmi i fillimit të fazës së dytë të sezonit për Ferencvaroshin, madje po krahasohet me yje të dikurshëm të klubit. Me pesë gola në pesë ndeshjet e para të kampionatit, shqiptari barazoi rekorde të sulmuesve të shquar të së kaluarës si Tibor Njilashi dhe Mihali Tot, dhe televizioni i Ferencvaroshit i kushtoi një kronikë të zgjeruar më shumë se 6-minutëshe.
“Jam i lumtur për golat, por edhe më shumë për faktin se ekipi po fiton dhe se ne po shpallemi kampionë, – thotë Uzuni, – nuk është e lehtë të krahasohesh me lojtarët e së kaluarës dhe ky është një privilegj për mua, por që më nxit pë të punuar edhe më shumë”.
Ndër realizimet e këtij viti që janë 7 në kampionat, plus 6 asistë, 25-vjeçari nuk e ka të lehtë që të zgjedhë. “Të gjithë golat janë të bukur, por ndoshta do të veçoja atë që i shënova Akademisë Pushkash nga goditja e dënimit”, – vendos Uzuni më në fund.
Së bashku me sulmuesin Tokmak Nguen, shqiptari është realizuesi më i mirë i Ferencvaroshit, ndonëse gara për titullin e golshënuesit më të mirë të kampionatit do të jetë e fortë. Në krye është Janosh Han i Paksit me 12 rrjeta. “Unë shikoj statistikat dhe shoh se gara për Këpucën e Artë është shumë e fortë, – shprehet Uzuni, – nëse do t’ia arrija do të ishte kënaqësi e madhe, por unë nuk luaj për rekordet personale. Kryesore është loja e ekipit dhe fitorja”.
Beratasi ka një falenderim të veçantë për drejtuesit dhe për trajnerin Rebrov. “Jam shumë i përkushtuar ndaj klubit sepse ka besuar dhe vazhdon të besojë tek unë. Kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar që vjen nga një kampionat tjetër dhe që duhet të përshtatet në një skuadër tjetër. Për këtë i them faleminderit klubit që ka bërë çmos që unë të ndihem mirë”.
Sulmuesi i shquar i viteve 90-të, Mihali Tot, e vlerëson lart shqiptarin. “Shoh se Myrto Uzuni ka një potencial të madh, – tha ai, – dhe ka mundësitë të bëhet një lojtar i madh i klubit. Ai ka shumë talent dhe personalitet të fortë, dhe kjo do ta ndihmojë”. Ferencvaroshi shpreson që 25-vjeçari nga Berati të bëhet gjithashtu një legjendë si Shloser, Takaç, Sharoshi, Deak apo Florian Albert, ndonëse shqiptari padyshim që ka synim të kalojë një ligë të madhe europiane, me shumë gjasë në Serinë A të Italisë.
Sfidanti.al