Ndeshja më e mirë erdhi në kohën e duhur, dhe ai u ndje pikërisht vetvetja. Novak Gjokoviç u duk se i kishte lënë pas gjithë problemet fizike që e kishin penguar në raundet e kaluar në Melburn, duke e siguruar relativisht lehtë “biletën” për në finale. Fitorja ndaj rusit Karacev ishte 3-0 me sete dhe me rezultatin 6-3, 6-4 e 6-2. Numri 1 i botës në tenis është për herë të 9-të në finale në Australian Open dhe do të përpiqet të mbajë të paprekur rekordin që i ka fituar të gjitha. Në 8 finale të mëparshme ai ka fituar 8 tituj, duke qenë rekordmen në këtë Grand Slem, ndonëse asgjë nuk mund të krahasohet me 13 titujt e fituar nga Rafael Nadal në “Rolan Garos” të Parisit.
“Sot jam ndjerë më mirë sesa gjatë gjithë turneut, – tha Gjokoviçi, – mund ta godisja shumë mirë topin dhe nuk kisha dhimbje. Kjo ishte ndeshja ime më e mirë, dhe kjo erdhi në kohën e duhur. Tani kam dy ditë pushim, do të pushoj në njërën prej tyre dhe do të stërvitem ditën tjetër. Kryesore është që të rikuperoj forcat”. Nole do të luajë finalen e 28-të Grand Slem në karrierë dhe do të synojë titullin e 18-të. Ai është në vendin e tretë për numrin e Grand Slemeve, pas Federerit e Nadalit që kanë nga 20.
Sfidanti.al