Golat e arbitrave që dolën nga lista e zezë e Dukës

Të gjithë e mbajnë mend fundin e sezonit të vjetshëm, kur presidenti i FSHF-së hartoi një listë me emra arbitrash të padëshiruar dhe gjithçka u bë jo në bazë të aftësive profesionale, por sepse disa prej tyre po i dilnin jashtë kontrollit. Ndërsa në fund, pothuajse të gjithë u rehabilituan, përveç njërit, Lorenc Jeminit. Ky i fundit, pasi u lodh duke i shkruar dhe pritur komandantin suprem të futbollit, e kuptoi se mund të vazhdonte të jetonte edhe pa ndihmën e një bilbili. Ndërkohë që cilësia e vërshëllimave në fushat tona ka mbetur po e njëjta, diçka më shumë se mediokre. Arbitrat nuk kishin si të mungonin edhe këtë javë së qeni protagonistë. Në ndeshjen Luftëtari – Kukësi, Koçi e lejoi lojën të vazhdonte, pasi një koleg i tij inteligjent vërshëlleu nga shkallët e stadiumit, njëlloj si të ishte vetë Andi. Dhe kur të gjithë gjirokastritët ndaluan për të kursyer energjitë, Bakaj e dërgoi topin në rrjetë. Sipas rregullores, duhet ta kishte anuluar golin, por arbitri durrsak nuk e bëri një gjë të tillë.

Pasi vlonjatët kishin kaq kohë që qaheshin për gjykime tendencioze, aq sa administratori Idrizi ka filluar të besojë se Dukën mund ta ndalë vetëm prokuroria, për të zbutur gjakrat mendon Sadiku nga Elbasani. Arbitri nuk sheh një penallti neto në favor të Kamzës, duke ndikuar direkt në rezultatin përfundimtar të takimit dhe tashmë është trajneri Dane Ndreu që nuk ka të ngopur ta shohë edhe prapa hekurave. Korçarët e Skënderbeut ndoshta janë shumë i fortë për pjesën tjetër të skuadrave të kampionatit tonë, por edhe po i dhanë një dorë, sa për t’ia lehtësuar pak punët, nuk është se e refuzojnë. Në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Teutës, Klajdi Kola as që u kujdes për ta ruajtur pak veten dhe fitorja e thellë e Skënderbeut ishte edhe e tija. Mbi të gjitha, dëmi i shkaktuar nuk ishte shumë i vogël, pasi mund t’i kushtonte Maganit vendin e punës. Ndoshta në Federatë duhet të hartojnë një tjetër listë të zezë arbitrash, por që tashmë kriter të jetë cilësia, nëse nuk kanë filluar të gabojnë me dashje që tani, kur edicioni është ende është në metrat e para.