Garet Bejl po e shtyn më keq se Toni Krosi, e mbyll verën e ardhshme!

Ka qenë një nga talentet më të mëdhenj të dekadës së fundit, elegant, i shpejtë, i talentuar dhe një “fllad gëzimi” në futboll. Tashmë, Garet Bejl nuk është më i tillë. Nuk dihet se cili mund të jetë shkaku, por le të themi se ai nuk e ka këtë sport aq shumë pasion sa Ibrahimoviçi, Ronaldo apo Mesi, ndaj ndjen se dalë nga dalë duhet ta mbyllë. Nëse Toni Kros i dha fund me Gjermaninë dhe në 2023 largohet fare nga futbolli, Bejli ka një plan tjetër. Verën e ardhshme mbyll kontratën me Realin dhe sipas mediave britanike nuk do të prekë më top me këmbë. Të paktën, jo si profesionist. Gjithsesi, “kënga e mjellmës” për të nuk do të jetë në maj në “Bernabeu”, por në Kupën e Botës në Katar për Uellsin. Garet Bejli është ende një patriot i ndershëm i vendit të tij, dhe është pikërisht kombëtarja “shkronja kryesore” e fjalorit të tij. Ai nuk do të ikë si lojtar klubesh, por si ushtar besnik i vendit të tij.

Sfidanti.al