Vendimet e kryesores Emanuela Rusta që në javën e dytë të Kategorisë Superiore janë bërë shkak për polemika në Rrogozhinë. Ndeshja Egnatia-Vllaznia u mbyll në barazim 2-2 ku gjatë gjithë sfidës ka pasur tension dhe polemika për vendime që sipas lojtarëve dhe tifozëve, kanë qenë të dyshimta.
Në këtë mënyrë, në qëndër të akuzave ka qenë një femër, arbitrja e takimit, Emanuela Rusta. Kohët dhe vitet kalojnë, por në futbollin shqiptar personazhet dhe sjelljet e njerëzve në stadiume nuk ndryshojnë. Nuk ka rëndësi gjinia e “xhaketës së zezë” sepse në stadiumet shqiptare doza e agresivitetit nuk ndryshon.
Pak muaj më parë në të njëjtin stadium (vend krimi), Kridens Meta rrezikoi shumë nga tifozët e Tiranës në fund të ndeshjes me Bylisin ku bardheblutë humbën titullin. Nryshojnë vetëm protagonistët në shkallë e fushë por jo sjellja e tyre ndërsa Rrogozhina çdo ditë e më shumë po kthehet në kryeqendër të betejës sportive që gjeneron dhunë.