Futbolli italian në zi për ndarjen nga jeta të flamurit zikaltër dhe protagonist i “stafetës” historike me Gianni Rivera-n në kombëtare.
Pak pas mesnate u mësua lajmi se është ndarë nga jeta Sandro Mazzola, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit italian, një nga ikonat e Interit dhe protagonist i paharrueshëm i një epoke të artë me “axurrët”. Në nëntor do të mbushte 84 vjeç.
I rritur nën hijen e dhimbshme të tragjedisë së Superga-s, ku humbi babanë Valentino, kapitenin legjendar të Torino-s së madhe, ai diti të ndërtojë një karrierë brilante si sulmues, duke u nisur nga pesha e një mbiemri monumental.
Giuseppe Meazza e inkuadroi me të rinjtë dhe më pas iu hapën dyert e skuadrës së parë të drejtuar nga Helenio Herrera. Gjatë karrierës tek Interi, që zgjati deri në 1977-ën, Mazzola luajti 572 ndeshje dhe shënoi 162 gola. Me fanellën zikaltër fitoi 4 tituj kampion, 2 Kupa Kampionësh dhe 2 Kupa Interkontinentale.

