Ishin të dy në fushë dhe u treguan vendimtarë. Kristal Abazaj dhe Eduart Rroca janë sërish shokë skuadre, ashtu si vjet te Kukësi, duke udhëhequr Istanbulsporin në Turqi. Sulmuesi tropojan shënoi golin e parë të Istanbulsporit, në duelin e kategorisë së dytë turke ndaj Eskishehirsporit, fituar me shifrat 3-0. Ish-lojtari i Luftëtarit dhe Kukësit u tregua i saktë për të finalizuar një aksion nga e djathta të vendasve, duke prishur bardhësinë e shifrave 0-0.
Istanbulspori pati epërsi edhe më pas, dhe në pjesën e dytë ishte Rroca në rol drejtues. Mesfushori shërbeu me zgjuarsi asistin për golin e dytë të shënuar nga Papa Diuf. Tre minuta para fundit, Rroca fitoi penalltinë që solli rrjetën e tretë dhe të fundit, edhe pse nuk ishte ai njeriu që e ekzekutoi 11-metërshin. Për këtë paraqitje, lojtari 27-vjeçar nga Librazhdi u shpall më i miri i ndeshjes.
Istanbulspori është një nga skuadrat kryesore të ligës së dytë turke, duke mbajtur vendin e dytë në renditje me 16 pikë pas 7 javësh, e duke qenë një nga pretendentët më të fortë për t’u ngjitur në Superligë. Me ndihmën edhe të dy shqiptarëve, Abazajt e Rrocës, ka shumë shanse që t’ia dalë.
Sfidanti.al