Për nga mënyra e organizimit, në Shqipëri funksionon një futboll unik dhe pikërisht për këtë arsye nuk i mungon as rivaliteti, i cili shpesh është epik, pasi zgjat deri në sekondat e fundit. Në verë, skuadrat ndërtohen të gjitha për të fituar tituj, ndërsa merkatot drejtohen nga njerëz që kryesisht kanë fituar pushtet nga njohja e afërt me presidentët, madje nuk ndikon as fakti, që me futbollin mund të kenë vetëm lidhje fare periferike. Pra, je i dashuruar pas Juventusit që në kohën e Romeo Benetit, mund të mjaftojë që të të japin të drejtën të dalësh në tregun e futbollistëve, ashtu siç na besojnë ne të tjerëve një shportë dhe pak para, për të psonisur tek Pazari i Ri. Dhe më pas gjithçka mbulohet me propagandë deri në sesionin tjetër të merkatos, ndërsa skuadrat fillojnë të marrin natyralisht fizionominë dhe ngjyrën e pazarxhiut që asnjëherë nuk ka shumë faj, pasi nuk kishte se si të bënte më shumë se sa mundej.
Ndërkohë që skuadrat ndryshojnë rrënjësisht nga viti në vit, duke pasur kampionë provizorë, por edhe duke dëgjuar broçkulla pa fund, për një kampionat që po lë gojëhapur të gjithë kontinentin. Ndërsa në fund, ata që paguajnë janë trajnerët, të cilët janë të fundit që pyeten në periudhën e shkurtër të ndërtimit të skuadrave, por që nuk konsiderohen as nga njerëzit e propagandës, të cilët e nisin dhe e përfundojnë sezonin duke artikuluar superlativa për burrat “e ditur” të pazarit dhe i vizitojnë ndonjëherë trajnerët vetëm për t’u drejtuar ndonjë pyetje mediokre, fotokopje të një jave më parë.
Ndërkohë që për të trajnuar skuadrat është vetëm çështje trajnerësh, ndërsa drejtorët e merkatove nuk kanë fare të bëjnë, por as autorët e teksteve të këngëve revolucionare, që i bëjnë jehonë sukseseve të një pas njëshme. Të gjithë mblidhen në Kamëz, Ibë, Pezë, apo Fllakë, për të luajtur këtë kampionat perfekt drejtorësh, të cilët Federata i ka legalizuar me nga një licensë pas kurseve 6-mujorëshe…