Fusha “copë-copë”, por derbi sërish do të luhet në Arenë!

Frika është e madhe, dhe përgjigja pozitive nuk ka ardhur. Gjithsesi, me shumë gjasë dueli i shumëpritur, Partizani-Tirana, do të luhet në “Arenën Air Albania”, pavarësisht se fusha nuk është në gjendjen më të mirë. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohuan se përgjigja për fushën, nga specialistët grekë, nuk ka ardhur, por kjo nuk pritet ta pengojë zhvillimin e derbit në stadiumin e ri. Po nga burime në Federatë mësohet se gjendja e fushës është edhe më e keqe sesa në ditën e ndeshjes ndaj Francës, në 17 nëntor, dhe kjo sepse po vazhdon trajtimi i saj.

Partizani ka kërkuar zyrtarisht që të luajë në “Arenën Air Albania”, për shkak të kushteve shumë më të mira që ofron ky stadium, dhe që pritet ta justifikojë shpenzimin e qirasë. Derbi besohet se do të zhvillohet të enjten e 5 dhjetorit, në orën 20:00, të paktën kështu është parashikuar në kalendarin e Superligës.

Arena Air Albania u përurua pikërisht në duelin ndaj Francës, në eleminatoret e Europianit, pasi ishte testuar një javë më parë nga ndeshja e femrave, Vllaznia-Apolonia. Fusha la shumë për të dëshiruar, dhe njerëz të besueshëm në Federatë pohuan se nuk ishte përmbushur afati i duhur që ajo të ishte në gjendjen normale. Ky lloj tapeti ka nevojë për 90 ditë që të jetë në 100 për qind, ndërsa deri në ndeshjen me Francën kaluan vetëm 2 muaj. Pritet që të bëhet një lëshim për derbin, ndërsa më pas stadiumi të mbyllet deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

Sfidanti.al