Futbolli që luhet në Shqipëri është vërtetë unik, pasi luhet në fushë dhe po me të njëjtin pasion edhe nëpër kafene, faqe gazetash dhe studio televizive. Madje janë pothuajse të njëjtët protagonist, të cilët sapo dalin nga stadiumet fillojnë e mallkojnë sistemin, ideuesit e tij dhe vetëm të nesërmen fillojnë e mendojnë për garën, duke gënjyer veten se ende janë pjesë e saj. Të gjithë i mbajnë mend prononcimet ekstremiste të disa presidentëve, të cilët prej kohësh e kanë identifikuar “macen e zezë” që nuk i lejon skuadrat e tyre të jenë konkurente për tituj të mëdhenj. Flitet për arbitra të deleguar, për urrejtje, për dënime absurde, ndërsa në çdo periudhë ndërprerje kampionati, reagimi është vërtetë i çuditshëm. Drejtuesit e klubeve që e kanë klasifikuar veten si të persekutuara nga kupola e futbollit, gjithnjë e më shumë janë prezentë në merkato… dhe çfarë prezence?! Çdo futbollist që shohin në televizor e duan për skuadrat e tyre, duke i bashkëngjitur edhe çmime të çmendura. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka vendosur të sjellë në Vlorë emra të mëdhenj, pikërisht në një kohë kur që të gjitha kompeticionet futbollistike që organizohen nga FSHF i konsideron të manipuluara.
Idrizi vazhdon të jetë një nga kundërshtarët më të ashpër të titullarit të institucionit, duke e konsideruar atë aq mëkatar, saqë më shumë se një herë ka thënë me maksimumin e mllefit, se një njeri të tillë mund ta ndalojë vetëm prokuroria. Atëherë, çfarë qëllimi mund të ketë, kur sapo bie bilbili i hapjes së tregut, qoftë edhe atij të Vitit të Ri, kur edhe çmimet janë të ekzagjeruara, është vetë Idrizi i pari që shqyen thesin e tij të parave? Mendimi i tij original ishte, që ky lloj futbolli është për bojkot, ndërsa po rrëmove për të hedhur në pazar disa qindra miliona të cilat të rezultojnë të tepërta, më e shumta që do të përfitosh është vetëm ndonjë emër i përveçëm, por jo ndonjë penallti më shumë. Edhe këto të fundit ndoshta e kanë një çmim, por është e sigurtë që nuk gjenden në merkaton e janarit. Së fundi qarkullojnë fjalë, se trajnerit Duro duan t’i bëjnë një dhuratë të shtrenjtë, duke i sjellë Memushajn nga Seria A. Në fakt edhe nga ana sportive, ky transferim nuk është se ka shumë sens. Nëse lajmi ka brenda një farë vërtetësie, do të bëhej fjalë për një afrim interesant, pasi Memushaj është një mesfushor që mund të bëj ende diferencën, por vetëm për një periudhë të kufizuar kohe dhe kështu që nuk mund të konsiderohet një investim shumë i zgjuar për të ardhmen. Futbollisti i Beneventos, tashmë i ka lënë pas 31 vite, ndërsa po këta drejtues dikur larguan me prepotencë Bregun, një tjetër futbollist të shkollës së tyre, madje kur ishte vetëm 20 vjeç. Nëse atëherë nuk do të ishin nxituar, padyshim që Dejvi do të ishte tani një aset i vyer i klubit. Por në fund të fundit, paratë janë të Idrizit dhe ai e di vetë si i shpenzon, vetëm se ekziston një pyetje për 100 pikë: A ia vjen të bësh sforcime kaq të mëdha financiare, kur klubi është i destinuar të ketë damkën e të deklasuarit? Vasil Ruci thotë se nuk shkon të festat e Dukës, pasi ka frikë se e helmojnë. Atëherë, padyshim që është më mirë një pjatë e sigurtë, sesa qindra miliona për të vazhduar të shash e të mallkosh i zhgënjyer.