Fituesi i palumtur, Kristiano Ronaldo mendon largimin nga Reali

Ky njeri nuk di të jetë i lumtur. Është fatkeqësi sesi një nga yjet më të mëdhenj të planetit vuan edhe kur fiton trofetë më të mëdhenj që mund të ekzistojnë. Kristiano Ronaldo mbetet i vënë në diskutim edhe pasi shënoi golin e vetëm të finales së Kupës së Botës për klubet, fituar nga Reali ndaj Gremios braziliane.

Portugezi theu edhe rekordin e golave në këtë kompeticion mbajtur më parë nga Mesi e Suarez, dhe u barazua me legjendën Pele që ka shënuar 7 herë në Kupën e dikurshme Internkontinentale. Falë tij Reali mbrojti trofeun e fituar vjet, hera e parë që ndodh, ndërsa e bëri të vetin për herë të tretë, një tjetër rekord.

Gjithsesi, edhe Kristiano fitues nuk i shpëtoi dot polemikave, që i krijoi vetë. Një gazetar spanjoll e pyeti në konferencën për shtyp pas takimit, nëse e quan veten më të madh se legjenda e Realit, Alfredo Di Stefano.

“Nuk dua të flas vazhdimisht për veten time, – tha ai, – Atë që kisha për ta thënë, e thashë. i qendroj asaj që kam thënë pak kohë më parë. Kam shumë besim tek vetja ime, por ju them se statistikat nuk gënjejnë. Janë numrat që flasin për mua”.

Sidoqoftë, edhe presidenti Perez nuk është dakord, pasi e quajti Ronaldon si lojtarin më të madh të Madridit pas Di Stefanos, që do të hapë një epokë të re, ashtu si Di Stefano. Mediat spanjolle lajmërojnë se fitoret e fundit nuk e kanë qetësuar aspak marrëdhënien mes lojtarit dhe klubit.

Gazeta “Marka” shkruan: Ronaldo kërkon të fitojë më shumë para sesa ndonjëherë më parë dhe se kushdo! Nuk i mjafton mbështetja publike e presidentit Perez. Gazeta “AS”: Kristianos nuk i kanë pëlqyer fjalët e Florentino Perezit për Nejmarin: “Ta mbyll në Madrid? Nuk varet nga unë, nuk jam ai që komandon”.

Kristiano dëshiron t’i shmangë polemikat, por sipas mënyrës së tij. “”Jam edhe më i lumtur sepse theva një rekord më shumë atë të golave të shënuar në Botërorin e klubeve, – komentoi ai, – Unë flas brenda fushës dhe kjo është puna ime. Përpiqem të jap gjithnjë maksimumin dhe që njerëzit të kënaqen me lojën time”.

Edhe trajneri Zinedin Zidan u pyet për rinovimin e numrit 7. “Shpresoj që të rinovojë, – tha ai, diplomatikisht, – Për ne është themelore që Kristiano të vazhdojë këtu për gjithë jetën e tij sportive. Ky është klubi i tij, kjo është shtëpia e tij. Ka bërë gjëra të mëdha për Realin dhe vazhdon t’i bëjë. Besoj se do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen dhe gjykoj se duhet të vazhdojë derisa ta mbyllë karrierën”.

E ardhmja e Ronaldos, gjithsesi, mbetet mister. Fituesi i pesë Topave të Artë, dhe shënuesi i mbi 630 golave në karrierë mbetet mes qendrimit dhe largimit nga Madridi.

Sfidanti.al